Pandemia e coronavirusit po i mban të bllokuar prej 6 javësh peshkatarët e portit më të madh të vendit në tokë, pasi mbyllja e restoranteve, e magazinave të peshkut dhe e eksportit me jashtë e ka zhvlerësuar punën e tyre njësoj si aktivitetet e ndaluara, duke i zhytur në krizë financiare.

Në një ditë me diell në portin e ri të peshkimit në Durrës, katër peshkatarë dalin njëri pas tjetrit mbi kuvertë nga barku i një anijeje të ankoruar. Më i riu ndër ta e ka mbuluar gojën me copën e një bluze, të cilën e ka lidhur me spango rreth kokës.

“U bënë gati 2 muaj që as rrogë, e asgjë,” thotë peshkatari me maskë artizanale, Lavdrim Dulellari. “Ne paguhemi kur rrimë në det, jo në tokë,” shton 29 vjeçari.

Si qindra peshkatarë të tjerë në Shqipëri, Dulellari është dëm kolateral i zinxhirit të aktiviteteve në sektorin e peshkimit –i paralizuara rëndë nga kriza e COVID-19.  Ndonëse peshkatarët nuk u ndaluan asnjë ditë që të dilnin në det, puna e tyre u zhvlerësua përtokë menjëherë pas mbylljes së restoranteve, magazinave të peshkut dhe bllokimit të eksportit, duke i lënë peshkatarët dhe sipërmarrësit e këtij sektori pa treg dhe të ardhura.

Në portin e ri të peshkimit në Durrës, pasojat e krizës duken me sy të lirë; me dhjetëra peshkarexha qëndrojnë të ankoruara prej javësh. Porti mbulon rreth 37% të të gjithë flotës së peshkimit në Shqipëri dhe është “shtëpi” për disa prej motopeshkarexhave më të mëdha dhe moderne, të cilat konsiderohen tanimë një barrë tjetër e rëndë për peshkatarët.

“Kur u dha sinjali SOS për shkak të kësaj situate [epidemisë], barkat u kthyen të gjitha dhe ekuipazhet pothuajse u vetëkarantinuan dhe fatmirësisht nuk pati asnjë të prekur,” thotë për BIRN Klodian Kapiti, kryetar i Sindikatës së Peshkimit në Durrës.

Kryesindikalisti Kapiti është megjithatë i shqetësuar se puna me orare të kufizuara prej më shumë se 6 javësh e ekspozon të gjithë sektorin e peshkimit në Shqipëri ndaj pasojave ekonomike afatgjata, duke e vështirësuar edhe më tej mbijetesën për qindra persona të përfshirë në këtë industri.

Në rrjetën e COVID-19

Të dhënat nga regjistri i flotës tregojnë se 632 subjekte ishin licensuara për aktivitet peshkimi në Shqipëri deri në fund të vitit 2018. Flota e peshkarexhave vepron pothuajse në të gjithë vijën bregdetare, por porti i Durrësit mbart pjesën më të madhe të tyre.

Ndërkohë, prodhimi vjetor i peshkut të kapur në vend llogaritet në rreth 6 mijë ton sipas INSTAT. Sipas peshkatarëve, shumica e produkteve të peshkut konsumohen në tregun e brendshëm, ndërsa ai që përpunohet dhe eksportohet më pas kryesisht drejt Italisë, Greqisë apo Spanjës, përdor si lëndë të parë peshkun e importit.

Epidemia e COVID-9 e ka goditur sektorin e peshkimit si në tregun e brendshëm, ashtu edhe në atë të jashtëm. Ndërsa mbyllja e restoranteve në Shqipëri nuk e justifikon gjuetinë, eksporti është bërë gjithashtu thuajse i pamundur për shkak të situatës së rëndë të krijuar në Itali dhe në Spanjë nga kriza e koronavirusit të ri.

Në kuvertën e peshkarexhës së ankoruar, Lavdrim Dulellari shpjegon se klientela ndahet në dy grupe.

“Janë qytetarët, të cilët blejnë peshkun e lirë dhe restorantet, që blejnë peshkun e shtrenjtë,” tha Dulellari, ndërsa llogarit hendekun e madh të çmimeve që luhatet nga 500 lekë deri në 10 mijë lekë kilogrami.

Helidon Rruga, drejtues i kompanisë Koral- ndër më të mëdhatë në vend për magazinimin dhe përpunimin e peshkut, pohon gjithashtu se mbyllja e restoranteve është arsyeja kryesore e paralizimit të tregut të brendshëm. Operator në magazinimin e peshkut prej vitit 1994, Rruga e konsideron të paimagjinueshme situatën që po kalon vendi.

“Ka disa lloje peshqish që konsumohen vetëm në restorant dhe në momentin kur ato nuk shiten, nuk justifikojnë as gjuetinë,” tha Rruga për BIRN.  “Një situatë të tillë e kemi parë vetëm nëpër filma, por nuk na e merrte mendja se do e përjetonim ndonjëherë,” shton ai.

Rruga thotë se edhe eksporti i peshkut është gjithashtu i paralizuar, pasi vendet kryesore të tregtisë janë gjithashtu të dëmtuara rëndë.

Frederik Shoshi, 52 vjeç, numëron 38 vite lundrim mbi supe, të cilat i kanë mundësuar atij pronësinë mbi tre peshkarexha dhe një restorant historik peshku në Durrës. Ndonëse restoranti është i mbyllur prej fillimit të marsit, ai thotë se është shtrënguar që t’i paguajë 12 punonjësit e tij të specializuar- që sipas tij gjenden me vështirësi në treg.

Me peshkatarët, Shoshi ndan raporte të tjera sa kohë që ata punojnë me përqindje në varësi të shitjes së produkteve në treg.

“Peshkimi është si bixhozi, kur del në det thuhet qëllofsh! Ose fiton, ose humb,” tha 52-vjeçari, i paqartë se sa gjatë do të zgjasë humbja e tij.  Llogaria e kostove për çdo ditë që anijet nuk dalin në det rrit pesimizmin e Shoshit për të ardhmen.

“Ne duam minimumi 1 vit punë që të marrim veten,” llogarit 52-vjeçari.

Helidon Rruga sqaron se puna me 5% të kapacitetit që prej javës së dytë të marsit ka krijuar vështirësi të shumta në të gjithë zinxhirin e peshkimit. Për të dhe pronarë të tjerë, pagat e punonjësve janë vetëm një aspekt, ndërsa përballen edhe me taksat, sigurimet, tatim-fitimin dhe të tjera detyrime, të cilat megjithëse janë shtyrë, nuk janë pezulluar.

“Puna është e programuar, në bazë të arkëtimeve që bëjmë kemi edhe pagesat, si për porosinë e mallit dhe shumë faktorë që ndikojnë,” thotë Rruga për BIRN.

“Barkat janë gropë”

Kriza e COVID-19 nuk ka prekur vetëm peshkatarët shqiptarë, por edhe një numër të konsiderueshëm shtetasish të huaj, kryesisht nga Egjipti, të cilët punojnë në sektorin e peshkimit në Shqipëri.

Muhamet Arafat, një 40 vjeçar që punon prej dy vitesh në Durrës si motorist dhe peshkatar është njëri prej tyre.

“Me situatën e krijuar jam mërzitur aq shumë sa dua të kthehem, por nuk ka avion. Nuk po mundem t’i dërgoj para familjes,” thotë Arafat nga Egjipti, baba i dy fëmijëve.   “Edhe atje është bërë situatë e vështirë së fundmi,” shton ai, ndërsa duart i ka zhytur në motorin e një peshkarexhe.

Pa të ardhura dhe larg familjes së tij, Arafat është vetëm një prej shtetasve të huaj që ka mbetur i bllokuar në Shqipëri. Sipas Frederik Shoshit, sektori i peshkimit mbulohet në 40% të tij në Durrës dhe Lezhë nga egjiptianët, për të cilët ai ka vlerësime të larta si njerëz punëtorë dhe shumë të dëgjueshëm.

“Ata paguhen këtu sa trefishi i pagës në Egjipt,” thotë Shoshi, ndërsa shton se përveç Muhamet Arafat ka punësuar edhe një tjetër shtetas nga Egjipti. Planet për të punësuar tre të tjerë kanë mbetur tashmë pezull, në varësi të situatës.

Kreu i Sindikatës së Peshkimit në Durrës, Klodian Kapiti i njeh në detaje problemet e mbartura dhe të reja me të cilat përballen peshkatarët, në një sektor të vështirë, për të cilin thotë se “nuk e kupton se nga të vjen e keqja”. Ai shton se shumica e sipërmarrësve i ka blerë anijet përmes kredive bankare, shlyerja e të cilave po bëhet gjithnjë e më e vështirë.

“Në peshkim sheh peshkatarë dhe agjentë bankash me kostume që vijnë të kërkojnë shlyerjen e kredisë,” thotë Kapiti, ndësa shton se nuk ka pronar anijeje pa 2-3 banka “të varura në qafë”.

“Ky sektor ka gjithmonë nevojë për mbështetjen e qeverisë. Tani nafta merret pa akcizë, porti i ri i peshkimit u bë, kantieri deri diku po funksionon dhe përsëri barkat janë gropë…,” shton ai, pa llogaritur dëmet nga kriza e fundit.

Porti i ri i peshkimit në Durrës u ndërtua në vitin 2015 përmes një kredie prej 12 milionë eurosh të Bankës Islamike. Nga rreth 120 anije që ka flota e Durrësit, rreth 90 ankorohen në portin e ri dhe ato më të mëdhatë detyrohen të anokrohen jashtë tij, pranë ish-kantierit detar.

Por ai nuk të jep mundësinë e ankorimit bash-kiç dhe anijet duhet të ngjeshen me njëra-tjetrën si dhe të kalojnë përmes njëra-tjetrës qindra arka me peshk në ditë të zakonshme.

Kalimi në portin e ri e detyroi Kastriot Likën të ndërronte profesion.

“Unë jam saldator, por jam detyruar të futem si peshkatar sepse nuk kam ku të punoj këtu. Tek porti i vjetër kishte punë sa të duash për mua, sepse kishim korrent atje dhe kishte sahat,” thotë 50 vjeçari mbi peripecitë e mungesës së kushteve në portin e ri.

Megjithë vështirësitë e zakonshme të njërit prej profesioneve më të vështira, aktorët e sektorit të peshkimit shpresojnë për një hapje të shpejtë të vendit, që do t’u mundësonte atyre rimëkëmbjen.

Helidon Rruga, i cili zotëron 8 motopeshkatore, thotë se ka nisur tashmë pak nga pak të nxjerrë në det herë njërën e herë tjetën prej tyre.

“Kërkesa për peshkun ka qenë e ulët deri tani, por sikur po gjallërohet pak me lehtësimin e masave të kufizimit të lëvizjes,” thotë ai me shpresë. “Po ashtu, njerëzit kanë një muaj që nuk konsumojnë peshk dhe mund ta kërkojnë si produkt,” përfundon ai. (Reporter.al)

Qendra Alert/Alert.al