Vaji i ullirit po kthehet në një barrë ekonomike për fermerët shqiptarë. Çmimi në treg ka zbritur në rreth 300 lekë për litër, shumë më poshtë se kostot e prodhimit, duke bërë që grumbullimi të bllokohet dhe një pjesë e fermerëve të frenojnë vjeljen. Në disa zona të vendit është mbledhur deri më tani vetëm 20% e prodhimit, ndërsa sasitë e vajit të prodhuar po mbeten stok në shtëpitë e fermerëve.
Për prodhuesit, një çmim prej të paktën 500 lekësh për litër do të ishte i nevojshëm për të mbuluar shpenzimet. Vetëm pagesa e vjelësve varion nga 3.500 deri në 5.000 lekë në ditë, pa llogaritur kostot e tjera të mirëmbajtjes dhe përpunimit të ullirit.
Situata po ngre shqetësime për të ardhmen e sektorit. Albanian Food Industry (AFI) paralajmëron se nëse çmimet vijojnë të mbeten nën koston e prodhimit, fermerët mund të braktisin kultivimin e ullirit, madje edhe të presin plantacionet ekzistuese.
Shoqata i kërkon qeverisë të ndërhyjë urgjentisht përmes Ministrisë së Bujqësisë dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, duke propozuar një paketë me shtatë masa për të mbështetur fermerët dhe industrinë vendase të vajit të ullirit.
Ndër kërkesat kryesore është krijimi i një grupi pune për të analizuar situatën dhe përcaktuar mekanizmat e mbështetjes, si dhe ngritja e një fondi që do të mundësojë certifikimin falas të vajit të ullirit sipas standardeve ligjore dhe organike, kur plotësohen kushtet. Pagesa për certifikimin do të kryhej ose rimbursohej pas shitjes së produktit.
AFI kërkon gjithashtu ndalimin e përkohshëm të importeve të vajit të ullirit deri në fund të janarit, me argumentin se prodhimi vendas duhet të ketë mundësi të dalë në treg. Një tjetër propozim është zhvillimi i një fushate të përditshme mediatike për të nxitur konsumatorët të zgjedhin vajin shqiptar.
Në paketën e propozuar përfshihet edhe detyrimi që subjektet që kanë përfituar mbështetje nga fondet publike të AZHBR-së apo lehtësira fiskale si investitorë strategjikë, të blejnë deri në qershor vetëm vaj ulliri shqiptar të certifikuar. Për subjektet që nuk zbatojnë këtë detyrim, AFI propozon penalitete financiare dhe përjashtimin për pesë vite nga skemat e mbështetjes publike dhe lehtësitë fiskale.
Shoqata kërkon gjithashtu që importi i vajit të ullirit të vlerësohet me një çmim reference për efekt të detyrimeve fiskale, bazuar në koston e prodhimit vendas, si dhe ngritjen e një task-force me përfaqësim 70% të fermerëve dhe prodhuesve të fabrikave të vajit për të monitoruar zbatimin e masave.
Sipas AFI-së, ndërhyrja duhet të jetë e menjëhershme, pasi dy muajt e ardhshëm janë vendimtarë për shërbimet që u kryhen ullishtave. Nëse fermerët heqin dorë nga mirëmbajtja e tyre për shkak të humbjeve ekonomike, pasojat mund të ndihen edhe në prodhimin e vitit të ardhshëm, duke dëmtuar njëkohësisht fermerët, fabrikat dhe konsumatorët.
Deklarata e plotë e AFI për mbështetjen e fermerëve të ullirit
Ditët e fundit fermerët shqiptar prodhues të ullirit po ballafaqohen me vështirësi të jashtëzakonshme për sa i përket rënies drastike të çmimit të vajit të ullirit, çka ka vënë ata në pozita që masivisht të deklarojnë se do e braktisin kultivimin e mëtejshëm të tyre edhe madje ka prej atyre që deklarojnë qe do presin masivisht plantacionet ekzistuese.
Duke pasur parasysh se ne 10 vitet e fundit në Shqipëri janë bërë investime shumë të rëndësishme si në kultivimin e pemëve të ullirit por edhe në ndërtimin e fabrikave të vajit të ullirit të cilat llogariten të jenë mbi 270 është e domosdoshme që të bëhet një analizë e thelluar e situatës nga ana e Ministrisë së Bujqësisë, Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave për të vlerësuar dimensionet e problemit, pasojat që mund të sjellë dhe aksionet që ndërmerren në të tilla raste në vendet e BE, kur tregu sillet në mënyrë të tillë që mund të shkaktojë shkatërrimin pa kthim të investimeve shumë të rëndësishme të kryera në dekada, të krijojë probleme sociale të vështirësive ekonomike apo edhe të largimit nga vendi për fermerët, të ndikojë në përdorimin e pasurisë më të rëndësishme që është toka dhe në cenimin e peizazhit dhe së fundmi në ndikimin e përgjithshëm ekonomik e financiar të vendit dhe të buxhetit te shtetit.
Në këtë kuadër pas konsultimeve të shpejta me fermerë dhe prodhues të vajit të ullirit e gjejmë të udhës te japim një set me rekomandime, të cilat natyrshëm i duhen nënshtruar vlerësimit dhe vendimmarrjes në kuadër të grupit të punës që besojmë se do të ngrihet pranë Ministrisë së Bujqësisë për këtë qëllim.
Emergjenca për veprim energjik imponohet edhe nga fakti se 2 muajt e ardhshëm janë muajt në të cilët fermerët kryejnë shërbime ndaj kulturës së ullirit. Heqja dorë nga shërbimet gjatë këtyre 2 muajve do të sjelle një rezultat edhe më të keq vitin tjetër si për fermerët, për fabrikat për ekonominë në tërësi dhe për konsumatorin I cili me siguri do të ballafaqohet pastaj me çmimet monopolistike të importit.
Masat e sugjeruara për ndërhyrje të menjëhershme:
- Krijimi i një plan pune nga Ministria e Bujqësisë për analizimin e shpejtë të situatës së krijuar nga çmimet e ulëta të vajit të ullirit pasojat që mund të sjellë dhe masat mbështetëse për fermerët.
- Vendosja e një fondi për certifikimin e menjëhershëm të sasive të vajit të ullirit në konformitet me standardet ligjore apo me standardet organike kur ato plotësohen. Ky certifikim të ofrohet falas për fermerët me kushtin e pagesës/ rimbursimit pas shitjes së produktit.
- Marrja e masës së menjëhershme të ndalimit të importit të vajit të ullirit deri në fund të muajt Janar.
- Promovim i përditshëm në të gjithë mediat vizive i kërkesës për mbështetje të fermerit shqiptar nga konsumatori vendas duke blerë vaji ulliri shqiptar.
- Nxjerrja e një Akti Administrativ që të gjithë subjektet që kanë marrë mbështetje nga fondet publike në 5 vitet e fundit nga AZHBR apo kanë marrë lehtësira fiskale si investitorë strategjikë etj kanë detyrimin që deri në muajin Qershor të blejnë vetëm vaj ulliri shqiptar të certifikuar sipas skemës të ndërtuar nga Ministria e Bujqësisë.
Në rast të mosrespketimit të këtij rregulli ndaj këtyre subjekteve do të merren 2 masa:
- Për çdo blerje të vajit me origjinë jo shqiptare nga ana e subjekteve të nixitura financiarisht apo fiskalisht ndaj tyre, do të aplikohet një tarifë e barabartë me vlerën e blerjes së vajit të ullirit me origjinë jo shqiptare;
- Subjektet që nuk respektojnë këtë masë emergjente për mbështetjen e fermerëve shqiptar do të përjashtohen për 5 vjet nga çdo aplikim për marrje fondesh nga AZHBR apo përfitime të lehtësirave të tjera fiskale në kuadër të legjislacionit nxitës turistik.
- Importi i vajit të ullirit do të vlerësohet me çmim reference për efekt të pagesave fiskale mbi bazën e kostos së prodhimit të vajit të ullirit të fermerëve shqiptar. Kjo kosto të nxirret nga shoqatat e prodhuesve të vajit të ullirit, dhe QTTB Vlorë e cila është përgjegjëse për kulturën e ullirit.
- Ministria e Bujqësisë të krijojë një task forcë e cilat ë ketë në përbërje të saj 70%, pjesëtare, fermerë apo përfaqësues të fabrikave të vajit të ullirit, e cila të verifikojë deri në fund të muajit Shkurt respektimin e këtij akti normativ.
Drejtuar publikut shqiptar
Mbështesni fermerët shqiptarë dhe industrinë prodhuese të vajit të ullirit, duke blerë masivisht dhe pa hezitim vajin e ullirit pranë fermerëve apo fabrikave tuaja të besuara me koshiencën dhe ndërgjegjen e plotë qytetare se po jepni nje kontribut të jashtëzakonshëm për këta fermerë, për industrialistët dhe për gjithë ekonominë e vendit.
Qendra Alert/Alert.al
Edhe në luftën kundër korrupsionit, raporti vlerëson se, megjithëse janë vendosur masa për transparencën në akreditim, vlerësimin e konformitetit, tarifat dhe veprimtarinë e institucioneve publike, nevojiten përpjekje të mëtejshme për zbatimin efektiv të tyre. Disa agjenci dhe administrata doganore kanë miratuar rregulla për etikën, transparencën dhe konfliktin e interesit, por ekzistenca e këtyre mekanizmave nuk garanton automatikisht funksionimin e tyre në praktikë.