Menu

Sociale

Zënia e hapësirave publike, Toni Beni nga Policia Bashkiake: Përveç problem ligjor, duhet të jetë edhe social

I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Toni Beni Shef i kontrollit të territorit, në Policinë Bashkiake në Tiranë foli për problematikat e parkimeve në kryeqytet, inspektimet në terren dhe masat që merren ndaj shkelësve.

“Ne jemi çdo ditë në terren, i konstatojmë problematikat, kjo nuk do të thotë se nuk veprojmë. Në vitin 2018, Këshilli Bashkiak nxori vendim për rregullat se si mund të zihet hapësira publike, është Policia Bashkiake ajo që do largojë konstatimet e paligjshme dhe është punë e përditshme e jona. Por, nuk mund të kemi dot një polic pas mendjes së dikujt, pasi përveç problemit ligjor, duhet të jetë dhe pak social, pra të arrijë ta kuptojë se hapësira publike është e gjithë qytetarëve nuk mund të zihet. Më pas vjen masa administrative, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, me punëtorë që na vijnë në dispozicion sa herë kemi ankesa për zënien e hapësirave publike. Kemi hasur dhe konflikte në disa raste, disa instalacione të kushtueshme vendosen nga njerëz duke zënë hapësirën publike dhe pretendojnë se është pronë e tyre. Madje është bërë edhe kallëzim nga këta persona që u kemi marrë pronën, kemi dhënë shpjegimet e duhura dhe çdo gjë që gjendet në hapësirën publike konsiderohet si mbeturinë dhe shkon në landfillin e Tiranës. Policia e Tiranës në bashkëpunim me punëtorët e Bashkisë Tiranë i marrim dhe i depozitojmë në landfill. Problem mbetet edhe zënia nga disa persona të parkimeve me pagesë. Ndodh që marrin lekë sa herë që ndërrohen makinat në atë parking. Janë parkingje publike dhe kjo përbën vepër penale, pasi marrin atributet e institucioneve. Përtej kallëzimeve, fenomeni ekziston akoma. Si është zgjidhja? Në lidhje me vendimin e Këshillit Bashkiak ka edhe masa shtrënguese, administrative për individë, por problemi është teknik pasi nëse individi apo personi fizik nuk është regjistruar në institucion tatimor nuk mund t’i vendosesh gjobë, ta vjelësh gjobën. Akoma nuk është gjetur mekanizimi i saktë që të gjobitet çdo lloj personi, mjafton që ka një kartë identiteti”-deklaroi Toni Beni.

Qendra Alert/Alert.al

 

Vrasjet për parkingjet, gazetari Çelmeta: 5 viktima në Shqipëri brenda 8 viteve

I ftuar në emisionin “Alert” nga Granit Sokolaj, gazetari i News24 Igli Çelmeta ka folur për vrasjet që kanë ndodhur në Shqipëri, nga konfliktet që kanë nisur për parkimin dhe kanë degjeneruar në përdorimin e armëve të zjarrit.

“Policia e Shtetit nuk ka statistika për ngjarjet për shkak të konflikteve apo vrasjeve për parkingjet. Nga viti 2014 deri më sot prej konfliktit të parkingut janë shkaktuar 5 vrasje. Dua të theksoj faktin që në 3 vitet e fundit konfliktet për parking të referuar në polici janë rreth 58 raste. Në vendin tonë çdo muaj ka 2 raste që referohen në polici për konflikt në parkingje. Duke iu referuar 2 rasteve të fundit të ndodhura në verë të këtij viti. Rasti kur 51-vjeçari Alban Meneri goditi me sende të forta fqinjin të tij që humbi jetën pas 2 vitesh, por konflikti ishte më i hershëm për pronën. Viktima jetonte me qira në një banesë, ku pronarët e saj ishin në konflikt me Menerin për pronën. Alban Meneri përballë pronës kishte një hapësirë 60 m katror ku vendoste makinën, aty ndodhej një parukeri dhe ai po debatonte me të. Fqinji i kërkoi të mos debatonte me zonjën, ndërsa Meneri i kërkoi të zbriste e të sqaroheshin. Kjo ngjarje edhe mund të parandalohej. Meneri pretendonte se pronën e kishte me certifikatë, por pretendimet e palës tjetër, Bashkia e kishte cilësuar hapësire publike. Ka pasur përplasje mes institucioneve. Zanafilla e konflikteve për parkime ka mosdakordësi dhe lindin këto konflikte me pasoja vdekjeje”-tha Çelmeta.

Gazetari Igli Çelemeta foli edhe për ngjarjen e Sarandës që ndodhi verën e këtij viti:

“Pas hetimeve nga prokuroria rezultoi se autori i krimit nuk ishte Xhanelo Tarja, por i vëllai Xhoi Torja. Ai ka qenë kamarier në hotelin ku viktima do të parkonte makinën, në hapësirën përballë hotelit. Kamarieri I ka thënë mos parko këtu sepse nuk lejohet. Këtu ka nisur konflikti. Më pas ka dalë i vëllai I Xhoi Tores, që është konfortuar me 41-vjeçarin Klodian Bakia. Në këtë moment Xhoi Torja ka marrë thikën dhe ka goditur Bakian. Kjo është e vërteta e ngjarjes, ku 2 vëllezërit janë duke vuajtur dënimin me burg”.

Qendra Alert/Alert.al

Indeksi i emocioneve nga Gallup: Shqiptarët më të stresuarit në Ballkan

Viti 2021 e zëvendësoi 2020-n si viti më stresues i kohëve të fundit, me një rekord të ri prej 41% të të rriturve në mbarë botën duke thënë se kanë përjetuar shumë stres se më parë. Në mbarë botën, jo të gjithë e ndjenin këtë njësoj shkallë. Stresi i raportuar varionte nga një nivel i lartë prej 74% në Afganistan dhe Liban në një nivel të ulët prej 12% në Kazakistan dhe Uzbekistan, ku nivelet e stresit kanë qenë historikisht më të ulëta.

Po Shqipëria? Raporti tregon se vendi ynë është një ndër vendet që ka përjetuar më shumë stres vitin e shkuar, me 59% të shqiptarëve që kanë pohuar se stresi ka mbizotëruar mbi ndjesitë e mira apo pozitive. Kjo është shifra më e lartë në Ballkan, e matur nga Indeksi i Emocioneve 2021/2022 të Gallup.

Bota po lufton gjithashtu nga një pandemi e heshtur – vetmia. Gallup gjen se 330 milion të rritur kalojnë të paktën dy javë pa folur me një mik apo anëtar të familjes. Dhe vetëm për shkak se disa njerëz kanë miq, nuk do të thotë se ata kanë miq të mirë. Një e pesta e të gjithë të rriturve nuk kanë një person të vetëm tek i cili mund të mbështeten për ndihmë.

Mjerimi global po rritet gjithashtu për shkak të një aspekti të përditshëm të jetës-punës. Shumë besojnë se një pagë e mirë dhe solide plotëson nevojat tuaja të punës, kur në fakt njerëzit që janë të mjerë në punë statistikisht kanë më shumë gjasa të përjetojnë emocione negative sesa dikush që nuk ka punë fare.

Gallup mat emocionet e përditshme në 145 vende duke i pyetur njerëzit nëse ata kanë përjetuar pesë emocione pozitive dhe pesë emocione negative një ditë më parë. Pesë përvojat negative përfshijnë zemërim, stres, trishtim, dhimbje fizike dhe shqetësim.

Pesë përvojat pozitive përfshijnë të ndihesh i çlodhur, i trajtuar me respekt, i gëzuar, i qeshur, duke mësuar ose duke bërë diçka interesante. Vendet me më pak dhe më shumë emocione janë të bazuara në renditjen e mesatareve të përgjigjeve “po” për të gjitha pyetjet.

Në mënyrë të veçantë, pyetjet në lidhje me emocione pozitive dhe negative formojnë përkatësisht indekset pozitive dhe negative të Gallup.Të dy indekset synojnë të matin se si njerëzit e jetojnë jetën, në krahasim me mënyrën se si njerëzit shohin jetën. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Halloween, si lindi kjo festë dhe çfarë simbolizon?

Shqetësime për furnizimin ushqimor global

Presidenti amerikan Joe Biden paralajmëroi se uria globale mund të rritet për shkak të pezullimit nga Rusia të një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga OKB-ja për të lejuar kalimin e sigurt për anijet që transportojnë grurë ukrainas.
“Është shumë indinjuese,” tha zoti Biden të shtunën duke folur në Uilmington të shtetit të Delauerës të shtunën.
Zoti Biden foli disa orë pasi Rusia njoftoi se do të ndalonte menjëherë pjesëmarrjen në marrëveshje, duke pretenduar se Ukraina ndërmori një sulm me dron të shtunën kundër anijeve të flotës ruse të Detit të Zi në brigjet e Krimesë së pushtuar. Ukraina e ka mohuar sulmin, duke thënë se Rusia ka goditur gabimisht me armët e veta.
Marrëveshja për grurin që u nënshkrua në korrik ka bërë të mundur eksportin e sigurt nga portet ukrainase të më shumë se 9 milionë tonëve grurë me 397 anije.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres është “thellësisht i shqetësuar” për pezullimin e marrëveshjes dhe shtyu udhëtimin e tij në Algjer për Takimin e Nivelit të Lartë të Lidhjes Arabe me një ditë për t’u marrë me këtë çështje, tha të dielën një zëdhënës i OKB-së.
“Sekretari i Përgjithshëm vazhdon të angazhohet në kontakte intensive që rikthimin e Rusisë tek marrëveshja” tha në një deklaratë zëdhënësi i OKB-së Stephane Dujarric.
Zoti Guterres u kishte kërkuar të premten Rusisë dhe Ukrainës të rigjallëronin marrëveshjen. Zoti Guterres u kërkoi gjithashtu vendeve të tjera, kryesisht në Perëndim, të përshpejtojnë heqjen e pengesave që bllokojnë eksportet ruse të grurit dhe plehrave kimike.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së nënvizoi urgjencën e rinovimit të marrëveshjes që skadon më 19 nëntor, “për të kontribuar në sigurinë ushqimore në mbarë botën dhe për të zbutur vuajtjet që kjo krizë e kostos globale të jetesës po shkakton tek miliarda njerëz”, tha zëdhënësi Dujarric.
Marrëveshja e grurit ka arritur të ulë 15 për qind çmimet globale të ushqimeve, nga kulmi i tyre në mars, sipas Kombeve të Bashkuara.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy e quajti vendimin rus të parashikueshëm dhe tha se Moska e ka përkeqësuar qëllimisht krizën ushqimore që nga shtatori. Aktualisht, rreth 176 anije të ngarkuara me grurë nuk po lejohen të lundrojnë nga portet e Ukrainës, tha ai.
“Është ushqim për më shumë se 7 milionë konsumatorë. Pse një grusht njerëzish diku në Kremlin mund të vendosin nëse do të ketë ushqim në tryezat e qytetarëve në Egjipt apo Bangladesh?” tha ai të shtunën në fjalimin drejtuar vendit.
Një anije me 40,000 ton drithëra e nisur për në Etiopi në kuadër të programit të ndihmës së Kombeve të Bashkuara nuk mund të largohej nga Ukraina të dielën si rezultat i pezullimit të marrëveshjes nga Rusia, tha Oleksandr Kubrakov, ministri i infrastrukturës i Ukrainës.
Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i kërkoi Rusisë të anulojë vendimin e saj në një postim në Twitter të dielën.
Edhe Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Hulusi Akar është në bisedime me homologët e tij në Moskë dhe Kiev në përpjekje për të rigjallëruar marrëveshjen, tha ministria të dielën.
Ai u ka kërkuar palëve që të shmangin çdo “provokim” që mund të ndikojë në vazhdimin e marrëveshjes, thuhet në një deklaratë.
“Inspektimi i anijeve të ngarkuara me grurë që presin pranë Bosforit do të vazhdojë sot dhe nesër,” thuhet në deklaratë. (VOA)

Qendra Alert/Alert.al

Filantropi Lazim Destani, në promovimin e librit “Mutter Teresa Ganz Nach” të autorit Dom Lush Gjergji

Filantropi dhe biznesmeni i njohur Lazim Destani mori pjesë në promovimin e librit “Mutter Teresa Ganz Nach” të autorit Dom Lush Gjergji. Ceremonia e promovimi u organizua nga Lidhja e Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Gjermani, ku nuk munguan edhe interpretimet e instrumentistëve Migena Begolli dhe Memela Alija si dhe soprano Dorina Porodini.

Statusi i plotë i filantropit Lazim Destani në Facebook:

Dje pata nderin të marr pjesë në promovimin e librit MUTTER TERESA GANZ NACH me autor Dom Lush Gjergji. Nën organizimin e Lidhjes së Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Gjermani kjo ngjarje kulturore u mbajt në hapësirat e Wirtschaftklub-it në Dyzeldorf.

Në ceremoninë promovuese të këtij libri me vlerë që i ofrohet lexuesit gjerman morën pjesë shumë krijues dhe artistë nga mbarë Gjermania.

Me interpretimet e tyre të shkëlqyera bukuri të veçantë i dhanë kësaj ngjarje instrumentistet Migena Begolli dhe Memela Alija si dhe soprano Dorina Porodini.

Mihallaq Qirjo: Raporti i KE, Shqipëria problematika në fushën e mjedisit dhe menaxhimin e mbetjeve

I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Mihallaq Qirjo drejtor Qendra Burimore e Mjedisit (Rec Albania) ka folur për raportin e BE, rekomandimet në fushën e mjedisit dhe problematikat që hasen në Shqipëri.

“Legjislacioni nuk është aty ku duhet, ka boshllëqe dhe shpeshherë vlerësimet për ligjet specifike tregojnë se jemi ende shumë larg. Në fushën e mjedisit legjislacioni ynë është 50-60% i përafruar me atë të BE. Është legjendë urbane se kemi ligje shumë të mira dhe mbetet problem zbatimi. Qartazi specifikohen 3 shtylla kryesore: Legjislacioni, institucionet dhe zbatimi i tyre dhe vë theksin në disa strategji që ende nuk janë miratuar. Në raport flitet për idenë e lidhjes së shëndetit publik me disa fusha, ku përmenden edhe elementë të cilësisë së ndotjes së ajrit, i cili ka monitorim shumë të dobët. Edhe në Shqipëri, në raporte të tjera të OBSH kemi një numër të shtuar dhe të lartë si pasojë e ndotjes së ajrit. Element tjetër është çështja e cilësisë së ujërave dhe menaxhimit të tyre. Ka një proces të agresimit të ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve, që raporti e thekson si element që duhet të çohet më tej. Në tërësi, shërbimet publike që i shkojnë qytetarit dhe ndikojnë në mirëqënien dhe shëndetin e tij, nënvizohen në raport se kanë problematika të shtuara. Çështja e mbetjeve që lidhet me mirëqënien, referohen elementët e mangësisë, për të cilat në raport thuhet se duhet të merren masa të shpejta që të zbatohet. Parimi ndotësi paguan. Që bën lidhje të përgjegjshmërisë jo vetëm me mjedisin, por edhe shëndetin publik dhe elementë që lidhen me ekonominë. Rasti i menaxhimit të kimikateve, problematikë e shtuar. Në terren, ku ne dërgojmë mbetjet farmaceutike, ilaçet e skaduara që vijnë në Shqipëri, pesticidet e skaduara apo mbetjet e tjera industriale, të cilat mund të shkojnë më tej qoftë në ushqimin apo në ujin përditshëm, duket se progresi është i kufizuar, ka mangësi edhe gjatë vitit 2021″-deklaroi Mihallaq Qirjo.

Qendra Alert/Alert.al

Ndikon në klimë, ky qytet ndalon reklamën e mishit

Qyteti holandez Haarlem do të ndalojë shumicën e reklamave të mishit nga hapësirat publike për shkak të ndikimit të këtij ushqimi në klimë. Ndalimi do të nisë të zbatohet në 2024, duke përbërë atë që mendohet të jetë lëvizja e parë e tillë nga një qytet.

Mocioni i hartuar nga GroenLinks – një parti politike e gjelbër  është përballur me kundërshtimin e sektorit të mishit dhe të tjerë që thonë se cenon lirinë e fjalës.

OKB thotë se kafshët prodhojnë më shumë se 14% të të gjitha gazrave serrë të prodhuara nga njeriu, përfshirë metaninën.

“Mishi është shumë i dëmshëm për mjedisin. Ne nuk mund t’u themi njerëzve se ka një krizë klimatike dhe t’i inkurajojmë ata të blejnë produkte që janë pjesë e saj,” tha për gazetën Trouw Ziggy Klazes, një këshilltar nga GroenLinks që hartoi mocionin.

Qeveria e qytetit me 160,000 banorë thotë se ende nuk është vendosur nëse mishi i prodhuar në mënyrë të qëndrueshme do të përfshihet në ndalimin e reklamave. Propozimi u mbështet edhe nga deputetët e partisë Sfida Demokristiane.

Reagimi nga industria e mishit ishte i shpejtë

“Autoritetet po shkojnë shumë larg duke u thënë njerëzve se çfarë është më e mira për ta,” tha një zëdhënës nga Organizata Qendrore për Sektorin e Mishit.

Partia e krahut të djathtë BVNL e quajti ndalimin një “shkelje të papranueshme të lirisë së sipërmarrjes” dhe tha se “do të ishte fatale për fermerët e derrave”.

“Ndalimi i reklamave për motive të lindura politikisht është pothuajse diktatorial,” tha këshilltari i Haarlem BVNL, Joey Rademaker.

Herman Bröring, një profesor juridik nga Universiteti i Groningenit, tha se ndalimi mund të cenojë lirinë e shprehjes dhe të çojë në padi nga tregtarët me shumicë.

Rreth 95% e njerëzve në Holandë hanë mish, por më shumë se gjysma nuk e hanë çdo ditë, sipas Statistikave të Holandës.

Amsterdami dhe Haga kanë ndaluar tashmë reklamat për industrinë e aviacionit dhe lëndëve djegëse fosile.

Mishi i viçit prodhon më së shumti emetim të gazrave serrë, të cilat përfshijnë metanin. Mishi i qengjit lë gjurmën më të lartë në mjedis, por këto emetime janë 50% më pak se mishi i viçit.

Qendra Alert/Alert.al

“Pasaportat e arta” fusin në sherr Shqipërinë me BE-në

Cilat janë përfitimet dhe rreziqet nga “pasaporta e artë”? Ky është debati që po zhvillohet në Shqipëri, ndërsa për Bashkimin Evropian është më se e qartë se ky projekt duhet ndalur.

Sipas BE-së, rreziqet prej kësaj pasaporte janë të shumta dhe ato lidhen me ekonominë, por edhe me sigurinë.

“Pasaporta e artë” mund t’i jepet një shtetasi të huaj që investon një shumë të caktuar parash në vendin përkatës.

Në Shqipëri, nisma nuk është finalizuar ende dhe nuk dihen as kriteret për ta përfituar atë dhe as shuma që duhet investuar.

Në Raportin e Progresit për Shqipërinë, të përpiluar nga Komisioni Evropian, thuhet: “Skema të tilla paraqesin rreziqe në lidhje me sigurinë, pastrimin e parave, evazionin fiskal, financimin e terrorizmit dhe infiltrimin nga krimi i organizuar dhe janë të papajtueshme me legjislacionin e BE-së. Si vend kandidat për anëtarësim në BE, Shqipëria duhet të përmbahet nga zhvillimi i një skeme të tillë”.

Më herët, në muajin gusht, të gjitha këto shqetësime i përcolli edhe zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero-Hernandez.

Shtetësia shqiptare, deri në korrik të vitit 2020, jepej vetëm nga presidenti i Republikës së Shqipërisë. Nga ajo kohë, ky “monopol” u hoq përmes ndryshimeve në Ligjin për shtetësinë dhe në dhjetor të vitit 2020, pastaj, u krijua Agjencia e Programeve të Veçanta të Shtetësisë.

Më 29 korrik të këtij viti, Këshilli i Ministrave i Shqipërisë mori vendimin që dy kompani të huaja të ofrojnë dy shërbime: atë të reklamimit të pasaportës shqiptare dhe të kontrollit të figurës së personit që do të kërkojë të marrë pasaportë shqiptare.

Qendra Alert/Alert.al

Vijojnë aplikimet për azil, në 8 muaj rriten me 65%

Aplikimet për azil nga shqiptarët drejt vendeve të Bashkimit Europian kanë përshpejtuar rritjen gjatë muajve të verës.

Sipas të dhënave paraprake të Eurostat për periudhën janar- gusht 2022 janë regjistruar gjithsej 6,860 aplikime për azil në Be nga shtetasit shqiptarë, me një rritje prej 68% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Megjithatë, në raport me 2019-n, aplikimet mbeten 41% më të ulëta.

Shtetet me aplikimet më të larta mbeten Franca, me 46% të aplikimeve totale për 8 mujorin dhe Gjermania me 12%. Dëshira e shqiptarëve është më e larta në Europë edhe në krahasim me Ukrainën që është në luftë.

Të dhënat e Eurostat tregojnë se në gusht aplikimet për azil nga shqiptarët ishin gati 1100, ndërsa të Ukrainës në korrik (e dhëna e fundit e disponueshme) ishin 950. Për më tepër që Ukraina ka një popullsi prej 43 milionë banorësh, ndërsa Shqipëria ka zyrtarisht rreth 2.8 milionë banorë.

Aplikimet totale në BE

Sipas Eurostat, në korrik 2022, 66.545 aplikantë për azil për herë të parë (shtetas jo të BE-së) aplikuan për mbrojtje ndërkombëtare në Shtetet Anëtare të BE-së, 265 persona më shumë se në qershor 2022, që, në terma relativë, do të thotë një rritje mjaft e vogël prej 0.4%.

Krahasuar me korrikun 2021 (44,760), ka pasur një rritje prej 49% në numrin e përgjithshëm të kërkesave.

Në korrik 2022, kishte edhe 5,860 aplikantë të mëvonshëm (persona që riaplikuan për azil pasi ishte marrë një vendim për një kërkesë të mëparshme), një rënie prej 7% krahasuar me qershorin 2022 dhe një rritje 2% krahasuar me korrikun 2021.

Në korrik 2022, sirianët ishin grupi më i madh i personave që kërkonin azil (9 010 aplikantë për herë të parë). Ata u pasuan nga afganët (8 150), të ndjekur nga venezuelianët (3 665), pakistanezët (3 555) dhe kolumbianët (3 505).

Në mars 2022, pati një rritje të madhe të azilkërkuesve ukrainas për herë të parë (nga 2 370 në shkurt në 12 890 në mars) për shkak të agresionit ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës. Shifrat kanë ardhur duke u zvogëluar çdo muaj: 1 510 në prill, 1 295 në maj, 975 në qershor dhe 950 në korrik.

Kjo ndodh edhe sepse njerëzit që ikin nga Ukraina përfitojnë nga mbrojtja e përkohshme.

Me 14 095 aplikantë për herë të parë të regjistruar në korrik 2022, Gjermania vazhdoi të ishte shteti anëtar që raportonte numrin më të madh të aplikantëve për herë të parë për azil në BE, duke përbërë 21% të totalit. Gjermania u pasua nga Franca (10 890, 16%) dhe Austria (10 625, 16%), Spanja (8 745, 13%) dhe Italia (5 105, 8%). (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al