Autoriteti i Konkurrencës, në përfundim të hetimit të thelluar ndaj Vodafone Albania SHA dhe One Albania SHA në tregun me pakicë të shërbimeve celulare ka vendosur kushte dhe detyrime specifike që reflektojnë ankesat e konsumatorëve pranë Autoritetit. Vendimi i Komisionit të Konkurrencës synon korigjimin e shqetësimeve konkrete që kanë prekur konsumatorët dhe garantimin e çmimeve më të lira për shtresën e pensionistëve dhe studentëve, si dhe më shumë transparencë e mundësi zgjedhjeje për abonentët e të dy operatorëve.
Gjatë periudhës së hetuar u konstatuan rritje progresive dhe të përafërta të çmimeve, ngjashmëri e lartë ndërmjet paketave, reduktim i ofertave me çmime të ulëta dhe mangësi në dokumentimin e kostove që justifikojnë ndryshimet tarifore. Për pasojë, Autoriteti i Konkurrencës vendosi masa konkrete në interes të qytetarëve. Sipas vendimit:
• brenda 90 ditëve, të dy operatorët duhet të ofrojnë paketa të veçanta më të favorshme për
pensionistët dhe studentët 18–23 vjeç;
• paketa më e lirë duhet të jetë realisht e disponueshme edhe në pikat fizike të shitjes, jo
vetëm në aplikacione online apo kanale digjitale;
• pas përfundimit të kontratës, çdo abonent duhet të ketë të drejtë të kalojë në një paketë më
të lirë, pa penalitete dhe pa pengesa të pajustifikuara;
• çdo ndryshim në çmim, përmbajtje apo vlefshmëri të paketës duhet t’i njoftohet
individualisht abonentit, qartë dhe të paktën 30 ditë përpara;
• çdo rritje çmimi duhet të mbështetet në analiza të dokumentuara të kostove dhe ky
dokumentacion duhet të ruhet për pesë vjet;
• paketat e reja duhet të kenë diferencim real dhe të mos kufizojnë zgjedhjen e konsumatorit;
• kontratat tip duhet të marrin vlerësimin paraprak të Autoritetit të Konkurrencës për
shmangien e klauzolave të padrejta;
• procedura dhe afati për bartjen e numrit nga një operator te tjetri duhet të shkruhen qartë
dhe kuptueshëm në kontratë.
Vendimi nr. 1307 i datës 24/07/2026 korrigjon probleme konkrete të konsumatorit: mungesën e informimit, vështirësinë për të zgjedhur një paketë më të lirë, aksesin e kufizuar në ofertat ekonomike, paqartësitë kontraktore dhe mungesën e alternativave për shtresa me të ardhura të ulëta. Të gjitha detyrimet e vendosura nga Autoriteti i Konkurrencës do të monitorohen për një vit nga hyrja në fuqi e vendimit. Në rast moszbatimi të një prej pikave të vendimit, Vodafone Albania SHA dhe One Albania SHA do të përballen me penalitetet e parashikuara nga ligji.
TIRANË – Qendra ALERT dhe Avokati i Popullit nënshkruan sot një memorandum bashkëpunimi për orientimin apo adresimin e ndërsjellë të ankesave të qytetarëve/konsumatorëve, me qëllim që çdo denoncim apo shqetësim i tyre të mos mbetet i patrajtuar deri në zgjidhje. Duke pasur parasysh dhe fushën e veprimtarisë, Avokati i Popullit do të trajtojë çështje që lidhen me administratën publike, mosndërhyrjen e saj në rastet e gjetjeve të deleguara nga Qendra ALERT dhe ankesave të konsumatorëve, ndërsa institucioni i Avokatit të Popullit do të adresojë pranë ALERT ankesat e konsumatorëve në marrëdhëniet me subjektet private.
Memorandumi u nënshkrua në zyrat e institucionit, nga Avokati i Popullit Z.Endrit Shabani, dhe Drejtori Ekzekutiv i Qendrës ALERT, Granit Sokolaj.
Sipas memorandumit të bashkëpunimit, kur Avokati i Popullir konstaton se, një ankesë ka si objekt cënimin e të drejtave të konsumatorëve në një marrëdhënie ndërmjet subjekteve private, jashtë juridiksionit të tij, ai i kthen përgjigje ankuesit, duke e informuar për organet kompetente shtetërore dhe krahas tyre për mundësinë e asistencës nga Qendra ALERT.
Ndërsa kur Qendra ALERT konstaton nëpërmjet numrit të gjelbër 08002626 apo mënyrave të tjera të ankesave/denoncimeve, se një rast ka si objekt veprime ose mosveprime të organeve të administratës publike, e informon qytetarin për të drejtën e ankimit pranë Avokatit të Popullit dhe për mënyrat e depozitimit të ankesës, apo ia përcjell rastin drejpërdrejt Avokatit të Popullit.
Ky memorandum mes Avokatit të Popullit dhe Qendrës ALERT e çon në një tjetër nivel trajtimin e ankesave të konsumatorëve, duke bërë që ato të adresohen më vendin dhe mënyrën e duhur, si dhe do të mund të jenë më gjithëpërfshirëse, për çështje më të shumta që i shqetësojnë qytetarët. Gjithashtu, rrit dhe numrin e rasteve të zgjidhura në favor të konsumatorëve.
Qendra ALERT, e cila falenderon Avokatin e Popullit, Z.Endrit Shabani, po zbaton projektin “Linja e gjelbër për mbrojtjen e konsumatorit – Siguria ushqimore dhe forcimi i mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve në Shqipëri nëpërmjet fuqizimit të OSHC-ve lokale”, financuar nga Bashkimi Evropian (IPA III/2024), që po zbatohet nga Qendra ALERT në bashkëpunim me Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA). Në sajë të këtij projekti, është krijuar dhe Linja Kombëtare e Konsumatorëve, një numër i gjelbër 08002626, ku konsumatorët mund të telefonojnë falas dhe të adresojnë ankesat e tyre. Këto të fundit, ALERT i adreson pranë subjekteve private apo enteve publike, për zgjidhje.
Sipas memorandumit të sotëm, tani e në vijim, për rastet që kanë lidhje me mosveprime të institucioneve publike, Qendra ALERT do t’i adresojë ato pranë Avokatit të Popullit për ndërhyrje dhe e anasjellta për ankesat për subjekte private pranë Avokatit.
Produktet e petëve me shije dyshohen se janë burimi i një shpërthimi shumëkombësh të infeksioneve me Salmonella Stanley, që ka prekur mbi 100 persona në Europë. Autoritetet kanë nisur tërheqjen e produkteve nga tregu dhe u bëjnë thirrje konsumatorëve të mos i përdorin.
Autoriteti Europian për Sigurinë Ushqimore (EFSA) dhe Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) njoftuan se produktet e petëve me shije janë burimi më i mundshëm i një shpërthimi shumëkombësh të infeksioneve me bakterin Salmonella Stanley.
Sipas vlerësimit të përbashkët të dy institucioneve, nga nëntori 2025 deri në qershor 2026 janë konfirmuar 106 raste në 13 vende të Bashkimit Europian dhe Zonës Ekonomike Europiane, si edhe në Mbretërinë e Bashkuar. Të paktën 49 persona janë shtruar në spital, ndërsa shumica e të infektuarve janë fëmijë dhe të rinj.
Rastet janë regjistruar në Austri, Çeki, Danimarkë, Estoni, Francë, Gjermani, Hungari, Letoni, Lituani, Holandë, Norvegji, Poloni, Suedi dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Hetimet epidemiologjike treguan se të infektuarit në Danimarkë, Estoni, Gjermani, Letoni dhe Lituani kishin konsumuar petë me shije të së njëjtës markë. Analizat laboratorike zbuluan praninë e bakterit Salmonella Stanley në produkte me shije pule dhe pule pikante.
Sipas EFSA-së dhe ECDC-së, produktet e dyshuara janë prodhuar nga i njëjti prodhues në Ukrainë, duke ngritur dyshimet se kontaminimi mund të ketë ndodhur gjatë procesit të prodhimit. Megjithatë, shkaku i saktë dhe pika e kontaminimit nuk janë përcaktuar ende.
Ekspertët kanë identifikuar edhe lloje të tjera të salmonelës në produkte të së njëjtës markë, çka tregon se mund të ketë më shumë se një burim kontaminimi.
Autoritetet e sigurisë ushqimore në vendet e prekura kanë urdhëruar tërheqjen dhe rikthimin nga tregu të produkteve të dyshuara. Megjithatë, për shkak të afatit të gjatë të përdorimit, ekziston rreziku që disa prej tyre të ruhen ende në shtëpitë e konsumatorëve, duke sjellë raste të reja infektimi.
EFSA u bën thirrje konsumatorëve të mos konsumojnë produktet e përfshira në procesin e tërheqjes nga tregu, por t’i kthejnë në pikën e shitjes ose t’i hedhin. Gjithashtu, rekomandohet respektimi i udhëzimeve të përgatitjes dhe zbatimi i rregullave të higjienës ushqimore gjatë gatimit.
Ndërkohë, autoritetet shëndetësore dhe ato të sigurisë ushqimore do të vazhdojnë hetimet për të identifikuar burimin e kontaminimit dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të infeksionit.
Ky dokument është raporti teknik (Rapid Outbreak Assessment) mbi të cilin bazohet lajmi. https://www.efsa.europa.eu/sites/default/files/2026-07/Salmonella%20Stanley%20ROA%203.pdf
Sistami RASFF i Bashkimi Evropian ka njoftuar se një eksport shqiptar me speca është tërhequr nga tregu në Slloveni e Kroaci, ku ishte shpërndarë. Sipas RASFF, në analizat e kryera nga plani i monitorimit i autoriteteve të Sllovenisë, janë gjettur dy pesticide (insekticide) mbi normat e lejuara. Produkti i te njëjtës ngarkesë ishte shpërndarë edhe në Kroaci. Konkretisht, Flonicamid është gjetur nga analizat në masëm 1,0 mg/kg – ppm nga 0,3 mg/kg – ppm që është norma e lejuar dhe Tebufenpyrad në masën 0,024 mg/kg – ppm nga 0,01 mg/kg – ppm që është norma e lejuar.
Si masë paraprake, Ferrero ka tërhequr nga tregu disa grupe të kekëve dhe kruasanëve me Nutella për shkak të pranisë së mundshme të fragmenteve metalike. Supermarketet Migross, Tigros, Decò, Coop, Esselunga, Iperal, Pam Panorama dhe Prix kanë raportuar gjithashtu tërheqjen (e përditësuar më 26 qershor 2026). Produktet e prekura janë si më poshtë:
Kekët Nutella, në pako prej 688 gramë, që i përkasin numrave të serisë L124Z39 me datë skadimi (BMD) më 04/05/2027, L125Z39 me BMD më 05/05/2027, L138Z39 me BMD më 18/05/2027, L145Z39 me BMD më 25/05/2027, L148Z39 me BMD më 28/05/2027 dhe L149Z39 me BMD më 29/05/2027;
Kroasan me Nutella, në pako 340 gramëshe (4 copë), që i përkasin numrave të serisë L126Z39 me TMC 06/05/2027, L133Z39 me TMC 13/05/2027 dhe L134Z39 me TMC 14/05/2027.
Fresystem Spa (Ferrero Group) prodhoi produktet e tërhequra nga tregu. Fabrika e prodhimit ndodhet në zonën industriale ASI, Pascarola, në Caivano, në zonën metropolitane të Napolit. Ferrero njoftoi se, masa prek jo vetëm Italinë, por edhe Belgjikën, Gjermaninë, Hungarinë, Rumaninë, Spanjën dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Si masë paraprake, konsumatorëve u këshillohet të mos konsumojnë Muffin-a dhe Kroasan-a Nutella me numrat e serisë dhe afatin minimal të skadimit të treguar më sipër. Konsumatorët që kanë në zotërim produktet e tërhequra mund t’i kthejnë ato në pikën e blerjes.
Sistemi RASFF i KOmisionit Evropian ka njopftuar për një ujë mineral të ekspotuar nga Kosova në Zvicër, me prani të elementit kimik Boron. Duke e konsideruar si rrezik serioz për konsumatorëtm, autoritetet zviceriane kanë marrë masa të menjëhershme për heqjen nga tregu, si dhe kanë njoftuar sistemin RASFF, i cili më pas ka vënë në dijeni dhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës. Sipas RASFF, nga analizat e kryera gjatë pas marrjs së mostrave në markete, ka rezultuar prani e lartë e Boronit, 2.4 +/- 0.24 mg/l, ndërkohë që nuk duhet të ketë prani të tij. Njoftimi është piublikuar më 23 qershor, ndërsa AUVK njoftoi se disa lote të ujit mineral “Kllokoti” kanë rezultuar me përmbajtje të lartë të Borit ‘’Boron’’.
Sipas AUVK, të dhënat e produktit:
Emri i produktit: Ujë Mineral
Brendi: UJË KLLOKOTI
Kompania eksportuese: Rugove SH. P. K
Paketim: 1.5 L, datë skadimi: 05.01.2027 dhe 07.04.2027
Arsyeja e njoftimit: Përmbajtje e lartë e Borit (Boron) në ujë mineral
Niveli i rrezikut: SERIOZ
Vendi eksportues: Kosovë.
Boroni është një element kimik (simboli: B, numri atomik: 5) që sillet si një metaloid. I pranishëm natyrshëm në sasi të vogla në ushqime, tokë dhe shkëmbinj, ai vlerësohet shumë industrialisht për rolin e tij në prodhimin e qelqit rezistent ndaj nxehtësisë, qeramikës, tekstilit të qelqit dhe magneteve me rezistencë të lartë.
Sistemi RASFF ka publikuar më datën 17 qershor, një njoftim për bllokimin e një ngarkesa me speca të kuq të neksportuara nga Shqipëria për një nga vendet e BE. Ngarkesa është ndaluar nga autoritetet e Kroacisë ne kufi, ku dhe janë marrë mostrat për analizë. Siç njoftohet, në eksportin në fjalë, është konstatuar prani e pesticidit (insekticid) Acetamiprid shumë herë mbi normat e lejuara dhe konkretisht, 0,41+/-0,21 mg/kg – ppm, ndërsa norma e lejuar është 0.09 mg/kg – ppm.
Duke e konsideruar si rrisk serioz për konsumatorët, edhe pse produkti nuk është shpërndarë në markete, sasia do të kthehet në vendin e origjinës.
Ndërkohë, autoritetet shqiptare duhet të monitorojnë produktin e kthyer, me qëllim asgjësimin e tij dhe parandalimin e nxjerrjes në treg për qytetarët shqiptarë.
Acetamipridi është një insekticid me veprim kundër një game dëmtuesish bimorë, i autorizuar për përdorim në Amerikën e Veriut dhe të Jugut, Evropë dhe në një numër vendesh në Azi dhe Paqësor.
“Direktivat e mëngjesit” janë rregullore të Bashkimit Evropian që vendosin standarde për përbërjen, etiketimin dhe marketingun e produkteve të lidhura me mëngjesin, si mjaltë, lëngje frutash, reçel frutash dhe qumësht. Këto direktiva synojnë të sigurojnë cilësinë e produktit, transparencën dhe mbrojtjen e konsumatorit.
Më 12 shkurt 2024, Presidenca belge e Këshillit dhe përfaqësuesit e Parlamentit Evropian arritën një marrëveshje të përkohshme për të përmirësuar kërkesat për informimin e konsumatorit për mjaltin, reçelët e frutave, lëngjet e frutave dhe qumështin e dehidratuar.
Mjalti
Teksti mbi të cilin është arritur një marrëveshje provizore ruan ambicien dhe qëllimet e propozimit dhe përmban elementët e mëposhtëm në lidhje me mjaltin:
vendet e origjinës do të tregohen në etiketë në rend zbritës, bazuar në peshë; etiketa gjithashtu do të përfshijë përqindjen që përfaqëson secili vend në përzierje, duke rritur kështu transparencën për konsumatorët
shtetet anëtare mund të vendosin që detyrimi për të treguar përqindjen në etiketë të aplikohet vetëm për katër pjesët më të mëdha, me kusht që këto të përbëjnë më shumë se 50% të peshës së përzierjes
për të siguruar fleksibilitet, në rastin e paketave më pak se 30 gramë, emrat e vendeve të origjinës mund të zëvendësohen me një kod ISO me dy shkronja
një platformë ekspertësh do të mbështesë Komisionin në zhvillimin e metodave për të zbuluar falsifikimin e mjaltit dhe për të përmirësuar kontrollet; kjo do të ndihmojë në luftimin e mashtrimit me mjaltë
Lëngjet e frutave
Për të pasqyruar kërkesën në rritje për produkte me sheqer të reduktuar, teksti mbi të cilin është arritur një marrëveshje provizore parashikon gjithashtu shtimin e tre kategorive të reja: ‘lëng frutash me sheqer të reduktuar’, ‘lëng frutash me sheqer të reduktuar nga koncentrat’ dhe ‘lëng frutash të koncentruar me sheqer të reduktuar’.
Për më tepër, operatorët do të lejohen të përdorin etiketën ‘lëngjet e frutave përmbajnë vetëm sheqerna natyralë’. Kjo do të sigurojë që konsumatorët të jenë më të informuar për produktet që konsumojnë.
Reçelet e frutave
Këshilli dhe Parlamenti ranë dakord të rrisin përmbajtjen minimale të frutave në reçele dhe reçelet ekstra (100 g më shumë për kg për reçel, dhe 50 g më shumë për kg për reçel ekstra), duke siguruar një dallim të rëndësishëm midis dy kategorive:
– 450 g si rregull i përgjithshëm për reçelin
– 500 g si rregull i përgjithshëm për reçelin ekstra
Ky rritje e përmbajtjes së frutave do të ndihmojë në reduktimin e sasisë së sheqerit në reçel, duke i mundësuar konsumatorëve të bëjnë zgjedhje më të shëndetshme.
Qumështi
Në rastin e qumështit pluhur, dy bashkëlegjislatorët ranë dakord të lejojnë përdorimin e trajtimeve që prodhojnë produkte qumështi pluhur pa laktozë.
Legjislacioni përkatës:
Direktiva (BE) 2024/1438 që ndryshon Direktivat e Këshillit 2001/110/KE për mjaltin, 2001/112/EC lidhur me lëngjet e frutave dhe disa produkte të ngjashme të destinuara për konsum njerëzor, 2001/113/EC lidhur me reçelë, xhelë dhe marmelata frutash dhe puré të ëmbël gështenjash të destinuara për konsum njerëzor, dhe 2001/114/EC lidhur me qumështin e konservuar pjesërisht ose tërësisht për konsum njerëzor.
Gjatë fundjavës, Departamenti italian i Shëndetësisë raportoi dy tërheqje të reja: një që lidhej me një seri sallamesh Suillo Fiorucci për shkak të alergjenëve të padeklaruar, dhe disa seri vezësh organike për shkak të një rreziku mikrobiologjik.
Tërheqja e sallameve Suillo Fiorucci
Siç u përmend, Ministria ka nxjerrë një njoftim për tërheqje nga ana e prodhuesit për një seri sallamësh derri Suillo Fiorucci. Arsyeja e përmendur në njoftimin e tërheqjes është prania e alergjenëve të kazeinës (proteinave të qumështit), megjithëse në etiketë shkruhet ‘pa qumësht, pa laktozë dhe pa kazeinat’. Produkti në fjalë shitet në pako 250 gramëshe, me numrin e serisë 160926LM dhe datën e skadencës 16/09/2026.
Kompania Salumificio Scarlino Srl prodhoi salsiçet e tërhequra në emër të Cesare Fiorucci Spa. Fabrika e prodhimit ndodhet në Strada Provinciale 360 per Casarano, km 10.300, në Ugento, në provincën e Lecce-s (shënimi i identifikimit IT 1253 L CE)
Si masë paraprake, personat me alergji ndaj proteinës së qumështit këshillohen të mos konsumojnë sallamet Suillo Fiorucci me numrin e serisë dhe datën e skadencës të treguara më sipër. Konsumatorët që zotërojnë produktin e tërhequr mund ta kthejnë atë në pikën e shitjes ku e kanë blerë. Konsumimi i produktit në fjalë, megjithatë, nuk paraqet asnjë rrezik për personat që nuk janë alergjikë ndaj qumështit.
Tërheqja e vezëve organike
Ministria e Shëndetësisë gjithashtu ka publikuar një tërheqje nga operatori për nëntë lote vezësh të freskëta organike, kategori A, me markën Bio Fattoria. Arsyeja e dhënë në këtë rast është prania e Salmonella typhimurium. Produktet e prekura shiten në pako me 4, 6 dhe 30 vezë, me numrat e mëposhtëm të lotit: 200526, 210526, 220526, 230526, 240526, 250526, 260526, 270526 dhe 280526, dhe datat përkatëse të skadencës 17/06/2026, 18/06/2026, 19/06/2026, 20/06/2026, 21/06/2026, 22/06/2026, 23/06/2026, 24/06/2026 dhe 25/06/2026.
Vezët e tërhequra nga tregu u prodhuan nga Fattoria Paradello Società Agricola S.S. Njësi prodhuese ndodhet në Via Paradello 9, Rodengo Saiano, në provincën e Brescias (kodi i identifikimit C.I. Nr. IT017084).
Si masë paraprake, kompania rekomandon që konsumatorët të mos konsumojnë vezët me datat e skadencës dhe numrat e serisë të përmendura më sipër. Konsumatorët që mund të jenë në zotërim të produkteve të tërhequra mund t’i kthejnë në dyqanin ku i kanë blerë.
Që nga 1 janari 2026, Il Fatto Alimentare ka raportuar 109 tërheqje dhe heqje nga tregu, nga gjithsej 238 produkte nga kompani dhe marka të ndryshme.
Brazili nuk e njeh Republikën e Kosovës. Mes dy shteteve nuk mund të ketë asnjë marrëveshje dhe as verifikime në terren nga AUVK të stabilimenteve për ploësimin e standardeve të sigurisë së mishit, nëse nuk janë të miratuara nga BE, siç e parashikon detyrimisht Udhëzimi Administrativ MA-NR. 25/2007.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës shkel hapur legjislacionin e sigurisë ushqimore, duke lejuar importim e mishit të gjedhit nga Brazili, nga stabilimente të pamiratuara nga Bashkimi Evropian. Madje, në një komunikim me e-mail me OJQ ALERT (Qendra ALERT), AUVK gënjeu kur deklaroi se, „nuk ekziston një dispozitë e veçantë ligjore që e cakton kushtet e importit të mishit të gjedhit ekskluzivisht me mirarimin e stabilimenteve nga Bashkimi Evropian“. Me këtë deklaratë, AUV thellon skandalin me mashtrimin e konsumatorëve, pasi në të vërtetë ekziston baza ligjore, e cila, ndoshta qëllimisht nuk gjendet në webfaqen zyrtare të AUV.
Konkretisht, Udhëzimi Nr. 25, në nenin 2 shprehet:
Në nenin 6, pas paragrafit 6.3 shtohet paragrafi i ri 6.4 me tekstin:
„Përveç kushteve nga paragrafët e mësipërm të këtij neni, produktet ushqimore me prejardhje shtazore të subjekteve të regjistruara në BE për eksport të këtyre produkteve, mund të importohen në Kosovë, ndërsa për produktet ushqimore me prejardhje shtazore të vendeve të treta, në rast se Autoriteti ka argumente të mjaftueshme se një prodhues nga ato vende i plotëson kushtet higjienike të produkteve me prejardhje shtazore, Kryeshefi Ekzekutiv i Autoritetit Kompetent mund të aprovojë importin apo të formojë komision për verifikimin e kushteve për import“.
Udhezimi Administrativ 25 që nuk gjendet ne faqen e AUVK
Pra, AUV duyfishon mashtrimin. Më herët, historikisht në dalje të ndryshme mediatike, në situate Alert-esh e kriza ushqimore me mishin e Brazilit, AUV deklaronte se mishi i importuar në Kosovë nga ky shtet vjen nga stabilimente të BE.
ALERT e verifikoi dhe konfirmoi me fakte se mishi vjen nga stabilimente të pamiratuara, ndërsa AUV e pranoi se nuk ishte detyrim ligjor.
Por, këtë pretendim e rrëzon Urdhëri Administratir 25/2007, i cili e detyron AUV ose të importojë nga stabilimente të miratuara, ose nga vende të treta kur verifikohet nga ky Autoritet plortësimi i standardeve të jigjienës e kushteve të sigurisë ushqimore, pas verifikimit në terren. Kjo e fundit nuk ka ndodhur kurrë, pasi AUV nuk ka ngritur dot një grup pune që të shkojë në Brazil e të bëjnë verifikimet e stabilimenteve të ndryshme të prodhimit dhe eksportit të mishit të gjedhit, apo edhe llojeve të tjera. Brazili nuk e njeh Republikën e Kosovës si shtet i pavarur, e për pasojë, asnjë grup apo delegacion nga Kosova nuk mund të shkojë në Brazil për verifikime apo marrëveshie tregtare. Atëherë, si janë arritur të binden me argumente autoritetet e sigurisë ushqimore për mishin e Brazilit që është i sigurt?
Webfaqja e AUVK ku nuk është i publikuar Udhëzimi Administrativ 25/2007
Në këto kushte, Kosova duhet të importojë vetëm nga stabilimente të miratuara nga Bashkimi Evropian, ose Brazili mund të dërgojë në Kosovë çdo llum apo mbeturinë të mundshme, pa asnjë përgjegjësi ndaj një shteti dhe flamuri që nuk e njeh.
Sipas të dhënave zyrtare nga AUVK në komunikimet me Qendrën ALERT, në vitin 2025 janë importuar në Kosovë nga Brazili 28.552.901 kg dhe në vitin 2025, plot 27.097.213 kg, të gjitha mish gjedhi, që qytetarët e Kosovës i kanë konsumuar si mish të freskët apo nënprodukte mishi, si sallame, qebapa, qofte, pleskavica etj. Dhe, nga stabilimente të pamiratuara nga BE, të paktën shumica e këtyre sasive, ndërkohë që AUVK garantonte konsumatorët e Kosovës se mishi në Kosovë nga Brazili vjen vetëm nga stablimente të miratuara nga BE.
Emisioni ALERT, prodhim i Qendrës ALERT e denoncoi këtë skandal të premten e datës 15 maj 2026 dhe deri tani, nuk ka pasur asnjë ndërhyrjë apo masë as nga AUVK dhe as nga Ministria e Bujqësisë së Kosovës.
Ndërkohë, të rrezikuar nga ky skandal që ndodh në Kosovë janë dhe konsumatorët e Shqipërisë. Nga shkëmbimet tregtare mes dy vendeve, sipas deklarimeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, por edhe Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, në vitin 2004 janë importuar në Shqipëri nga Kosova 610.750 kg mish gjedhi dhe 227.338,6 kg nënprodukte me perberje mishi gjedhi, si suxhuk, sallame, proshutë, pleskavica etj. Ndërsa për vitin 2005, po nga Kosova janë importuar në Shqipëri 618.193 kg mish gjedhi dhe 447.081 kg nënprodukte mishi, suxhuk, sallame, pleskavica, qofte etj. Pra, automatikisht edhe Shqipëria është e rrezikuar nga mishi i Brazilit në Kosovë nga stabilimente të pamiratuara nga BE.
Megjithëse Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, zyrtarisht nuk ka përgjegjësi, sepse mishi vjen si produkt me origjinë nga Kosova, më 18 maj 2026, pas zbulimit dhe publikimit të skandalit, Qendra ALERT në një komunikim me e-mail me AKU e pyeti nëse do të merren masa për ndalimin e mishit të gjedhit të ngrirë nga Kosova drejt Shqipërise dhe nënprodukteve të tij, që kanë përbërje nga mish Brazili? Dhe, a do të ndërmerren hapa konkrete për displinimin e importeve të mishit të ngrirë nga Kosova dhe nëse po, çfarë konkretisht?
Në përgjigjen e AKU të dats 1 qershor 2026, thuhet se,
“Produkti mish gjedhi i importuar nga Republika e Kosovës është i shoqëruar me certifikate shëndetësore veterinare, ne te cilën ka te përcaktuar origjinën e produktit si dhe kërkesat e shëndetit publik dhe shëndetit te kafshëve te lëshuar nga veterineri zyrtar i autoritetit kompetent…
…Lidhur me këtë publikim ne media nuk është hera e pare qe publikohet një lajm i tille pasi ky publikim daton edhe para dy viteve dhe është kryer verifikim nga te dy autoritet homologe Shqiperi dhe Kosove dhe nuk ka rezultuar te jete i vërtet ky lajm për te cilat është sqaruar dhe opinioni publik.
Madje autoritetet e Kosovës kane kthyer përgjigje zyrtare përmes te cilës trajtojnë se:
Gjate kontrollit të ushtruar dëshmohet për përputhshmëri të ditarit të prodhimit (therjes së kafsheve dhe copëtimit të mishit) me sasinë e prodhuar dhe eksportuar në RSH, mbështetur në dokumentacionin përcjellës të certifikatave të lëshuara“.
Sigurisht, AKU-së i vijnë përgjigje apo dokumente nga AUVK si produkt i freskët „Made in Kosova“. Por, nëse verifikohen lehtësisht importet e deklaruara në Doganën Shqiptare, nisur dhe nga çmimi, duket qartë që është mish me origjinë nga Brazili dhe jo mish i freskët nga Kosova.
Gjithësesi, më të rrezikuar dhe të mashtruar gjendet konsumatorët e Kosovës, të cilëve AUVK u ka „ofruar“ me deklartata mish gjedhi nga Brazili nga stabilimente të miratuara nga BE. Por, kjo përveçse nuk ka ndodhur në shumicën e importeve, AUVK mashtroi Qendrën ALERT dhe qytetarët e Kosovës edhe kur deklaroi se, nuk ka bazë ligjore specifike për këtë çështje. Baza është, Udhëzimi Administrativ është, por Brazili nuk e njeh Kosovën e si rrjedhojë, Kosova ka vetëm një alternativë; Import nga stabilimente të miratuara nga BE. Çdo veprim tjetër që është kryer e po kryhet, është cënim i sigursë kombëtare, i shëndetit të konsumatorëve të Kosovës nga importet masive me origjinë nga një shtet qe nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe si rrjedhojë, nuk mban asnjë përgjegjësi.