Menu

Tregtia online, konsumatorë të pa mbrojtur dhe mashtrimi si mjet përfitimi

Nga Mariglen Mertiri*

Tregtia online është një mjet efikas për të shmangur taksat e një dyqani fizik por edhe për të fituar kohë që përmes platformave sociale të kesh sa më shumë klientë potencialë.

Duke qenë se tregtia digjitale është kthyer në një mënyrë jetese për shumë qytetarë, kryesisht në qytetet e mëdha, në këtë konkurrencë të ashpër nuk mungojnë as dyqanet virtualë nga rajoni.

Konsumatorët nga Tiranë po shohin gjithnjë e më shumë një mundësi përfitimi për të blerë produkte nga Kosova, pasi cmimi favorizues i nxit të kthehen në klientë besnikë, por pa marrë parasysh rreziqet që mbartin këto faqe të pa certifikuara për konsumatorët dhe që kanë komunikim vetëm virtual me klientët e tyre, duke kontraktuar postat private si korrierrë të mallit që reklamojnë.

Viola, një kliente 25-vjecare nga Tirana ka denoncuar për Alert.al mashtrimin që pësoi me faqen online “Mendi Shooes” në Kosovë, ku porositi këpucë, të cilat në reklamimin e bërë online përmes  videos dhe strategjive të marketingut krijuan bindjen se gjeti produkti që po kërkonte.

Komunikimi u zhvillua ne mesanxherin e faqes online, ku klienti pyeste dhe dyqani online përgjigjej. Marrëdhënia tregtare, u krijua mes dy të panjohurve që bazohet në besimin reciprok. Pas disa sqarimeve teknike, porosia ishte mjaft e qartë ndersa klienti priste procedurën postare që vononte disa ditë për të bërë më pas edhe pagesën  fizikisht tek postieri.

Klienti u njoftua përmes postierit për mbërritjen e mallit, bëri pagesën dhe porosinë e paketuar e hapi pasi shkoi në shtëpi.

“Dy palet e këpucëve që kisha porositur, njëra ishte korrekte sipas kërkesës dhe specifikimeve të mia ndërsa një palë nuk përkonin me ate që kisha paguar.”-deklaroi 25-vjecarja.

 Në komunkimin që bëjmë publik, pas vendosjes së kontaktit sërish në mesanxherin e Instagramit, pala shitëse mori edhe përgjegjësitë për ngatërresën që kishte bërë, por kjo nuk u reflektua në korrigjim të gabimit dhe kthimin e mallit që ishte dërguar, i ndryshëm nga dëshira e klientes dhe ridërgimin e porosisë së saktë.

“Madje kjo faqe online, guxoi që pas disa tratativave për të përmbushur të drejtën time të kthimit të porosisë, i dha zgjidhje situatës duke më bërë “block” dhe mos mbajtur asnjë përgjegjësi tregtare për këtë situatë të krijuar për fajin e tyre.”-shtoi e reja.

25-vjecarja, jo vetëm që nuk u trajtua si kliente por u dëmtua si konsumatare, pasi shpenzoi para për një produkt që  nuk i vlen. Dhe ajo cfare deklaron për Alert.al është se nuk ka asnjë informacion se ku mund ta gjejë të drejtën e saj ligjore për të denoncuar padrejtësine në xhunglën online të dyqaneve “pirate”, aq më tepër përtej kufirit, qe abuzojnë për përfitime afatshkurtra.

Mbetemi sërish në dyqanet online në Kosovë ku një tjetër konsumator i zhgenjyer në Tiranë denoncon një rast të tregtisë së dështuar online, ku deklaron se u mashtrua me produktin që bleu.

“Pasi pashë në Instagram një video reklamim të një seti kremrash për fytyrën vendosa të pyes për më shumë pasi më nevojitej. Mesazhi i parë në mesanxher mberriti  me informacione të përgjithshme mbi produktin që zakonisht jane automatik”-deklaron denoncuesja për Alert.al

Bindja u krijua dhe produkti u porosit, por si konsumatore duket se shpejt u zhgenjye nga produkti që mori. Nga komunikimi me biznesin online nga Kosova, ju tha se shiste produkte me origjinë zvicerane.

“Produkti që mora nuk kishte asgje të ngjashme me atë që pashë në videon online, që nga paketimi e deri tek ngjyra e kremrave. Shpejt kuptova se u mashtrova dhe tentova te kërkoja te drejtën time, duke edhe kërcënuar për mbyllje të faqes online, por përfundimi ishte se si konsumatore vetëm shpenzova disa para, pa marrë produktin që doja”-theksoi denoncuesja nga Tirana.

Konsumatorë të zhgënjyer, të dëmtuar financiarisht por edhe të irrituar me zgjedhjen që bëjnë, mbeten te ekspozuar përballë padrejtësive për shkak edhe të  mungesës së një mekanizmi rregullues, për të vendosur një lloj standardi të këtyre faqeve.

Këto denoncime duhet të vlejnë si një thirrje ndërgjegjësuese që edhe vetë qytetarët të bëjnë kujdes kujt duhet t’i besojnë dhe kujt duhet t’i drejtohen për të gjetur në radhë të parë produktin që kërkojnë dhe më pas se si të marrin maksimalisht të drejtën e tyre në raste abuzimi.

*Autori i shkrimit ushtron profesionin e gazetarit prej 15 vitesh. Ka mbaruar studimet për Gazetari në Universitetin e Tiranës. Ai ka ushtruar profesionin e gazetarit në disa media të shkruara dhe vizive, duke qenë dhe gazetar investigativ. Aktualisht, është redaktor i lajmeve ne Televizionin Klan News.

Related Posts